Vendimi për përcaktimin e çmimeve më të larta të shitjes me pakicë të derivateve të naftës dhe karburanteve për transport

Në lidhje me vendimin e Komisionit Rregullator për Energjetikë për përcaktimin e çmimeve më të larta të shitjes me pakicë të derivateve të naftës dhe karburanteve për transport, i cili hyn në fuqi më 28.07.2026, Agjencia e Rezervave të Detyrueshme të Naftës informon opinionin publik se Republika e Maqedonisë së Veriut disponon sasi të mjaftueshme të rezervave të detyrueshme të naftës dhe se furnizimi me derivate të naftës mbetet i qëndrueshëm.

Rritja e çmimeve me pakicë të derivateve të naftës është rezultat i lëvizjeve të çmimeve referente të derivateve të naftës në tregjet ndërkombëtare, si dhe i ndryshimeve në kursin valutor, mbi bazën e të cilave Komisioni Rregullator për Energjetikë ka miratuar vendimin më të fundit për përcaktimin e çmimeve më të larta të shitjes me pakicë të derivateve të naftës dhe karburanteve për transport.

Agjencia e Rezervave të Detyrueshme të Naftës nënvizon se nuk ka kompetencë për përcaktimin ose ndikimin në formimin e çmimeve me pakicë të derivateve të naftës. Kompetenca e saj ligjore është sigurimi, ruajtja dhe menaxhimi i rezervave të detyrueshme të naftës të shtetit, me qëllim garantimin e sigurisë së furnizimit në raste të çrregullimeve të mundshme në treg.

Pavarësisht ndryshimeve aktuale në tregjet energjetike botërore, Agjencia disponon sasi të mjaftueshme të të gjitha llojeve të rezervave të detyrueshme të naftës, të cilat mundësojnë reagim në kohë në rast të çrregullimeve serioze në furnizimin me naftë dhe derivate të naftës. Në këtë mënyrë, sigurohet gatishmëria për përballimin e sfidave të mundshme dhe mbrojtja e sigurisë energjetike të shtetit, qytetarëve dhe ekonomisë.

Agjencia do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme gjendjen në tregun vendor dhe ndërkombëtar dhe, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, do të vazhdojë të sigurojë funksionim të sigurt dhe të pandërprerë të sistemit të rezervave të detyrueshme të naftës.

Me respekt,
Agjencia е Rezervave të Detyrueshme të Naftës
Shkup, 28 korrik 2026